Tirana pret 'shpëtim'. Hyrje falas dhe bonuse për fitoret

Tirana pret 'shpëtim'. Hyrje falas dhe bonuse për fitoret

Ndaj Luftëtarit, këtë të shtunë do të duhen 3 pikët për të evituar “gjëmën” sportive, rënien nga Kategoria Superiore të Tiranës për herë të parë që prej krijimit.

Tirana po përballet këtë fundsezoni me një objektiv të pamenduar më parë, si mbijetesa, e cila kalon edhe përmes ndeshjes me gjirokastritët, e programuar të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Për të motivuar futbollistët në dy javët e fundit të Superiores, drejtuesit, por edhe tifozë të jashtëm, po bëjnë gjithçka.

Të shtunën në oren 17:30, në stadiumin “Selman Stërmasi”, hyrja me biletë është e vlefshme vetëm për sektorët A, B, C, H, ndërsa hyrja në pjesët e tjera të impiantit të bardhebluve do të jetë falas.

Ndërkohë, përveç presidentit Halili, bonuse janë vendosur edhe nga kompani të ndryshme dhe biznesmenë, tifozë të 24 herë kampionëve të Shqipërisë.

Ndaj Luftëtarit, Tirana do të ketë mungesa me peshë, si ajo e kapitenit Karabeci, por edhe Olsi Teqja e Marvin Turtulli, që të 3 për shkak skualifikimi. Është rikuperuar sulmuesi nigerian Ede, që pritet të jetë në repartin ofensiv nga minuta e parë. Bardheblutë do të synojnë 3 pikët ndaj Luftëtarit, por do të shpresojnë gjithashtu që Laçi të mos fitojë në Vlorë.

Tirana, më 31 maj do të luajë dhe finalen e Kupës së Shqipërisë, kundër Skënderbeut në “Elbasan Arena”.

Sport