Kosovë, dështon sërish seanca. "Koalicioni i luftës" bllokon Kuvendin

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur as këtë të enjte të zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët, pasi në sallë nuk kanë qenë të pranishëm deputetët e koalicionit mes PDK-së, AAK-së dhe Nismës, PAN, dhe as ata të komuniteteve pakicë.

Të pranishëm në këtë seancë kanë qenë vetëm deputetët e lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të koalicionit ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, LAA.

Kryesuesi i seancës, deputeti Adem Mikullovci tha para 61 deputetëve të pranishëm se në mungesë të deputetëve nga koalicioni PAN, seanca ndërpritet dhe do të vazhdojë një ditë tjetër.

Në një takim konsultativ të mbajtur të mërkurën, përfaqësuesit e koalicionit PAN kishin njoftuar se nuk do të merrnin pjesë në seancën e sotme konstituive, për shkak të asaj që e kanë quajtur “thirrje arbitrare” të saj nga kryesuesi.

Për mungesën e deputetëve të PAN ka reaguar deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se, ata që po bojkotojnë seancat e Kuvendit duhet të japin përgjegjësi morale dhe politike.

“Kjo është e papranueshme me standardet e demokracisë. Kjo është shkelje e rëndë e demokracisë. Të mbahen peng institucionet për shkak të një emri dhe të harxhohet sa më shumë kohë në mënyrë që të takojnë deputetë të caktuar nëpër kafene e që me presione e shantazhe t'i bindin për të votuar një kryetar të papëlqyer për Kuvendin e Kosovës. Ne e dënojmë këtë praktikë dhe kjo praktikë nuk duhet të zërë vend në një shtet që i thotë vetes demokratik”, ka thënë Konjufca.

Konjufca ka ftuar PAN-in që të ndërpresë bojkotimin e seancës konstituitive dhe të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Kosova