BE, apel Kosovës: Krijoni sa më shpejt institucionet!

Bashkimi Europian i bën thirrje partive politike në Kosovë që të formojnë sa më shpejt insititucionet.

Zyrtarë të BE-së, të cituar nga mediat kosovare, pohojnë se vendi nuk ka kohë për të humbur, prandaj Kuvendi duhet të mblidhet sa më shpejt. 

“Ne i bëjmë thirrje që Kuvendi të konstituohet sa më parë që të jetë e mundur dhe që partitë të veprojnë me përgjegjësi e të përmbushin detyrimet e përcaktuara me Kushtetutë dhe ligje”, thuhet në një deklaratë të BE-së. Brukseli ripërsërit gjithashtu apelin për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit, në mënyrë që, siç thotë, qytetarët e Kosovës të jenë të lirë.

Partitë politike nuk kanë arritur ende të gjejnë një kompromis për themelimin e institucioneve. Bojkotimi i deputetëve të koalicionit PAN ka sjellë dështimin e seancave konstituive gjatë të cilave do të zgjidhej kryetari dhe Kryesia e Kuvendit. Në një intervistë për radion “Evropa e lirë”, kandidati për kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj, i emëruar nga koalicioni mes PDK, AAK dhe Nismës, tha se Kosova do të ketë institucionet e reja brenda 10 ditëve të ardhshme.

Sa i përket postit të kryeparlamentarit, Haradinaj theksoi se kandidati i vetëm i propozuar prej tyre është Kadri Veseli. Kandidatura e Veselit kundërshtohet ashpër nga partitë opozitare të tilla si Vetëvendosje dhe LDK. Koalicioni PAN deklaroi se do të vazhdojë të bojkotojë seancën konstituive në cilëndo datë që të përcaktohet ajo, nëse nuk do të përmbushen kushtet që kanë parashtruar gjatë një takimi konsultativ të grupeve parlamentare.

Ndërkaq, kryesuesi i seancës konstituive, Adem Mikullovci, caktoi seancën e re në datën 14 gusht dhe u shpreh i vendosur të mos kërkojë më takime konsultative.

Kosova