Vendimi i parë i Haradinajt, shkarkon komisionin për Demarkacionin

Në mbledhjen e saj të parë, qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj mori vendimin për të shkarkuar Komisionin Shtetëror për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi.

Në të njëjtën kohë, kryeministri Haradinaj ka caktuar njohësin e çështjeve gjeografike, profesor Shpejtim Bulliqi, që të krijojë ekipin e ri.

Ky është vendimi i parë që ka marrë kryeministri Haradinaj, në ditën e parë të tij në postin e kryeministrit. Lideri i ri kosovar ka qenë kundërshtari më i madh i punës së Komisionit Shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi, për shkak të gabimeve që ka bërë ky komision, me matjen e territorit të vendit. Pas propozimit të kryeministrit, kabineti votoi pro shkarkimit të komisionit.

Në mbledhjen e qeverisë, Haradinaj theksoi se programi qeverisës do t’i dorëzohet kuvendit të Kosovës brenda pak ditësh. Kryeministri i ri mori zyrtarisht  detyrën nga paraardhesi i tij Isa Mustafa, paraditen e së hënës.

Kalimi i pushtetit u bë në një ceremoni shtetërore, e shoqëruar nga parakalimi i Gardës së Kosovës. Takimin e parë si kryeministër, e zhvilloi me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie.

Ky i fundit tha pas takimit se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin një Kosovë sovrane, demokratike, shumë etnike, dhe në paqe me fqinjët e saj. Ai tha se përparësitë e politikes amerikane kundrejt Kosovë do të vazhdojnë të mbeten të njëjta.

Edhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje udhëheqësve të institucioneve, që të vazhdojë përpara në rrugën e saj evropiane, duke kujtuar sfidat e vështira me të cilat përballet vendi, si korrupsioni, sundimi i dobët i ligjit, papunësia e lartë dhe mangësitë në sistemin arsimor.

Kosova