Fiton gjyqin për reputacion

Fiton gjyqin për reputacion

Rebel Wilson është dëmshpërblyer me 4.5 milionë dollarë australianë (3.6 mln USD), shuma më e madhe e dhënë ndonjëherë në përfundimin e një procesi gjyqësor për shpifje në Australi.

Aktorja arriti me sukses të provonte se një seri artikujsh në revista e kishin përshkruar pa të drejtë si një gënjeshtare patologjike.

Në muajin korrik, një juri u rreshtua unanimisht në krah të saj, duke i përligjur pretendimet e 37-vjeçares se shkrimet stigmatizuese i kishin cënuar karrierën në “Hollywood”.

Rebel thotë se paratë e përfituara në këtë mënyrë do t’i japë një pjesë për bamirësi dhe të tjerat do t’ia dhurojë industrisë australiane të filmit.

Përgjegjësja për artikujt dëmtues, “Bauer Media” vazhdon të mos e pranojë karakterin e tyre diskreditues dhe thotë se po mendon ta apelojë vendimin.

Wilson kërkoi 7 milionë dollarë, ndërsa në këmbim iu ofrua një marrëveshje prej 200 mijë dollarësh që të hiqte dorë nga akuza. Për gjyqtarin John Dixon ky rast ishte i paprecedentë në Australi, për shkak të shtrirjes ndërkombëtare të tij.

“Shfajësimi i thellë në këtë situatë mund të arrihet vetëm përmes një kompensimi të dëmit, që i është bërë reputacionit të aktores Wilson, integriteti i së cilës është goditur ndjeshëm, duke prekur kështu edhe mundësitë e saj në tregun gjigant botëror”, argumentoi Dixon.

Aktorja e “The Bridesmaids” dhe “Pitch Perfect” nuk ishte e pranishme në sallë në momentin e dhënies së vendimit, por ajo shkroi më pas në “Twitter” se gjykatësi e kishte pranuar pa hezitim faktin që kishte një reputacion mjaft të lartë përpara, e se dëmi i shkaktuar ka qenë real dhe i konsiderueshëm.

Lifestyle