Guvernatori Sejko takon ambasadorin japonez në Tiranë

Guvernatori Sejko takon ambasadorin japonez në Tiranë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko priti në një takim në ambientet e bankës, ambasadorin e Japonisë në Shqipëri, Makoto Ito.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko i shprehu vlerësimet e tij Ambasadorit të Japonisë për marrëdhëniet mjaft të mira midis dy vendeve, si dhe biseduan rreth perspektivave potenciale të bashkëpunimit ekonomik për të ardhmen në fusha si shkëmbimet tregtare, zhvillimi i teknologjisë së informacionit, infrastruktura, etj.

Më tej, takimi vijoi me bisedime lidhur me panoramën ekonomike të vendit, ku Guvernatori Sejko u ndal ne performancën pozitive të deritanishme të rritjes ekonomike, e cila parashikohet të vijojë e tillë edhe në të ardhmen.

“Në këtë kontekst, edhe politika monetare lehtësuese e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e saj, duke ndikuar në zhvillimin ekonomik, qëndrueshmërinë e çmimeve të konsumit dhe stabilitetin financiar të vendit”, tha ai.

Diskutimet dypalëshe u ndalën në zhvillimet e reformave strukturore në vend, ku Guvernatori Sejko theksoi se vazhdimi e thellimi i mëtejshëm i tyre, mbetet i një rëndësie të veçantë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Në këtë drejtim, u nënvizua se tregu i gjerë dhe efikas i punës në vend mund të shfrytëzohet si një tjetër faktor i rëndësishëm për tërheqjen e tyre.

Ambasadori i Japonisë falënderoi Guvernatorin Gent Sejko për këtë takim dhe shprehu vlerësimet e tij për kontributin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë jep në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit. Ambasadori i Japonisë në Tiranë shtoi se Shqipëria si një faktor stabiliteti në rajon kontribuon në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit politik dhe ekonomik të tij.

Në përfundim të takimit, bashkëbiseduesit u shprehën se tashmë Shqipëria ndodhet në rrugën e duhur për procesin e integrimit europian, ku një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe Banka e Shqipërisë nëpërmjet kontributit të saj në përafrimin e kuadrit rregullator, me direktivat dhe standardet e Bashkimit Europian.

Ekonomi