Ligji për minoritetet, replika Rama-Dule. Noka përjashtohet nga seanca

Projektligji për mbrojtjen e pakicave është debatuar paraditen e kësaj të enjteje në Parlament, ku deputetit Vangjel Dule ka kërkuar që ky ligj të hiqet nga rendi i ditës, pasi sipas tij nuk është i plotë.

Kërkesa është hedhur poshtë nga mazhoranca me anë të votimit. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka deklaruar se ligji është shumë i rëndësishëm dhe është hartuar në konsultim të gjerë me ndërkombëtarët.

Por sërish deputeti Dule ka insistuar në qëndrimin e tij. “Të mos harrojmë se në vitin 2011 është hequr e dhëna mbi përkatësinë etnike të qytetarëve në librat e Gjendjes Civile. Kujt do t'i referohemi? Të dhënave të paqëna, të cilat nuk janë më pjesë e regjistrit institucional, por të arkivit? Me këto nocione ju sillni një ligj të ri që do të garantojë standarde të reja të respektimit të të drejtave të minoriteteve? Në hartimin e këtij ligji asnjëherë nuk jam thirrur, edhe pse jam përfaqësues i një minoriteti”, ka thënë Dule.

Ndaj tij ka reaguar kryeministri Edi Rama. “Ti je një minoritar dhe jo minoritet dhe je një përfaqësues gjithnjë e më pak i denjë për atë minoritet, të cilit ne i kemi dhënë dhe i japim respekt me ligjin që do të kalojmë sot”, ka thënë Rama.

Në debat është përfshirë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka kundërshtuar disa aspekte të ligjit. “Nuk kam asgjë kundër ligjit, por kush njeh Kushtetutën kupton se ky ligj nuk mund të burojë nga Ministria e Jashtme. Ky ligj është përplasje e klaneve mafioze në qeveri”, ka thënë Berisha.

Në këtë moment është dëgjuar një deklaratë “Ah, ti ke rrjedhur” nga kryeministri Rama për ish-kryeministrin. Veprim ky që është kundërshtuar nga deputeti i PD, Flamur Noka.

Në shenje proteste, Noka ka uzurpuar foltoren e Kuvendit duke refuzuar thirrjet e Ruçit për ta liruar atë. Në këto kushte, kreu i Kuvendit ka përjashtuar nga seanca deputetin demokrat.

Politikë