Kukësi fiton në transfertë, Kamza bën surprizën në Gjirokastër

Kukësi fiton në transfertë, Kamza bën surprizën në Gjirokastër

Pas ndeshjeve të Kombëtares, Kategoria Superiore është rikthyer ditën e sotme, ku Kukësi ka marrë një fitore të pastër në transfertën e Lushnjes 0-2.

Kampionët në fuqi të Superiores vendosën ndeshjen brenda 2 minutave në pjesën e dytë. Guri dhe Aliev shënuan përkatësisht në minutën e 58 dhe të 60. Ndërkohë, dy minuta para nisjes së pjesës së dytë, Lushnja mbeti me një lojtar më pak, pasi Spaho u ndëshkua me kartonin e kuq.

Një fitore mjaft e rëndësishme kjo për Kukësin, duke qenë se vinte në këtë ndeshje pas humbjes me Skënderbeun dhe tashmë është në krye me pikë të barabarta me korçarët, të cilët do ta luajnë ndeshjen e javës së 5 ndaj Laçit.

Ndërkohë, Kamza ka befasuar gjirokastritët e Luftëtarit, duke i mposhtur në shtëpi 1-2. Ndeshja ishte mbërthyer në barazim 1-1, ndërsa serbi Raçiç i dha fitoren Kamzës në minutën e dytë të shtesës duke kthyer në gol një 11-metërsh.

Në Shkodër nuk pati fitues në ndeshjen mes Vllaznisë vendëse dhe Flamurtarit, e cila u mbyll në barazim 1-1.

Në orën 17:00 të ditës së sotme do të luhen edhe dy ndeshjet e tjera të javës së pestë, Skënderbeu-Laçi dhe Teuta-Partizani.

Sport